Monday, March 21, 2011

Letër e hapur për disa dyer të mbyllura.

botuar ne gazeten Shqip, Prill 2010

I nderuar zoti Kryeministër, teksa kthehesha nga ajri për në tokën mëmë, shpesh mendimet më përplasnin në një nga deklaratat tuaja të fundit mbi urgjencën e rehabilitimit të institucioneve të dikurshme të humorit, pasi ky popull ka nevojë të qeshë. Dhe e menduar seriozisht, në parim, ju keni shumë të drejtë. 
Megjithëse të jemi realist dhe ashtu këmbëkryq ulur shtrembër, të flasim drejt, pa petkun e politikanit e as të militantit... Seriozisht, përse e menduat dhe mbi të gjitha përse u kujtuat kaq vonë? Jo thjeshtë, përse tani për këtë fushë të braktisur prej kaq kohësh? Dhe përse pikërisht fushën e humorit, kur ajo është vetëm një nga gurët e kulturës bazë që duhet zhvilluar në vendin tonë. A nuk ndodh e njëjta gjë edhe në teatër apo në kinematografi? Unë dhe disa miq të mitë mendojmë që po. Kjo përkrahje e harruar nuk është aspak fryt i munguar për fushat tona thjesht prej qeverisë suaj. Kjo histori kaq dhimbshëm qesharake, ka kaluar shumë qeveri dhe eshte nje nga kopilat në derë të cilët nuk i merr përsipër askush. Më falni për vrazhdësinë terminologjike. Nuk mund të jetë kaq e thjeshtë. E për më tepër këto janë iniciativa të cilat një ministër kulture, qoftë ky i tanishmi apo edhe paraardhësit e tij duhet ti kishin menduar në platformat e tyre që pa marrë postet e ministrave të kulturës tonë. 
A nuk është për të ardhur keq zoti kryeministër që, të gjitha institucionet tona kulturore e sidomos ato të arteve skenike e filmike janë shpesh të lëna pas dore?
Të mos i prekim sot ato që kanë të bëjnë me kulturat rinore pasi janë akoma më thershëm qesharake.
Nëse do të hulumtonit pak në të kaluarën e parlamentit shqiptar pa kapërcyer aspak vitet 90, do të vërenit që ka disa platforma projektligjesh mbi të ardhmen e këtyre fushave të artit. 
Dikur afërsisht para 9 apo 10t vjetësh, përkrah disa miqve , kolegëve e artistëve të asaj kohe, dikush në mënyrë të përbashkët e dikush në mënyrë individuale, u hodhën bazat e e kompanive të para private të cilat lulëzuan dhe gjeneruan projekte të ndryshme me dëshirën dhe ëndrrën për të ringritur dhe rikthyer spektatorit atë për të cilën ju përmendët para pak ditësh. Këto kompani, shumica e të cilave ndoqën modelet e simotrave perëndimore, për ligjin tonë ngelën fantazëm, përfunduan në shoqata kulturore apo u zhdukën para se të ktheheshin në gomarin që priste të mbinte… ligji. 
Hapini dyert subvencioneve të kompanive private, bëjini që të marrin aq sa për të hedhur hapat e para në treg, dhe pastaj të jeni të bindur që më i miri të fitojë. Por ju lutem larg farsave të disa fondeve që monopolizohen nga disa burokratucë që mendojnë se shpirti i një artisti varet nga firma e tyre veremlie. Këtu po flasim për artistët e vërtetë që nuk kanë pasur ndonjëherë nevojë të konkurojnë nga 3 apo qind herë me shpresën se diploma do ti bënte të tillë një ditë. Flasim për ata që edhe në kohë plumbash apo rrëmujash apo dhimbjesh nuk rreshtën së punuari.
Nëse kërkoni një shembull të asaj që kërkohet do tju jepja një tipik të sakrificës ky do të ishte ai i 1984,i artistëve të rrugës, Guy Laliberté, Daniel Gauthier dhe Gilles Ste-Croix. Ky i fundit për të përfituar fondet për shfaqjen e tyre të parë përshkoi në majë të këmbëve dy metroshe prej druri një distancë prej 90 km deri në kryeqytet, c'ka i ra në sy kryeministrit të asaj kohe dhe bëri të mundur miratimin e fondit. Sot ata janë një institucioni gjigand me famë botrore që ka mbi 4,000 punonjës nga  40 vende te ndryshme të botës, prodhon 19 spektakle në mbi 271 qytete në cdo kontinent, përjashto këtu, Afrikën dhe Antarktikën, me një të ardhur vjetore që i kalon 810 million USD. Dhe ky institucion quhet Cirque De Soleil. Me siguri që keni degjuar apo ndoshta edhe parë nëpërmjet platformës Digitalb. Dhe nëse ju keni nevojë për sakrifica të tilla që të bindeni se gjendja momentale e artit në Shqiperi, është e nderë dhe e shpërfillur... shkoni në një prej cirqeve tanë.
Nuk është aspak Enveriste të ndjekësh modelin francez e aq më pak Hitleriane të ndjekësh atë gjerman… nuk po kaloj përtej oqeanit se edhe mund të mos e mbajmë shumë frymën. dhe besoj se MInistria e Kulturës dhe e tre emrave që e pasojnë, nuk ka mungesë personeli për të marrë për bazë modelet perëndimore. 
Një popull përfaqsohet nga arti dhe kultura e tij. Këto janë pasqyra në të cilën shihet përditë dhe ne nuk kemi nevojë për pasqyra të thyera. boll ters i kanë ndjellë artit shqiptar. Tek investoni për beton asfalt e koncerte mediokre grupesh të harruara, pasione te një rinie që nuk vjen më, investoni dyfish në rindërtimin shpirtëror, emancipues dhe kulturor të këtij populli. Investoni tek vetullat e ngrysura, pa u nxjerrë sytë, tek fjalori pa ua prerë gjuhën, tek mirësjellja dhe respekti reciprok, pa ua prerë duart dhe pse shpesh kacafyten. 
Me keqardhje zoti Kryeministër jua pohoj dhe konfirmoj që shpesh buzëqeshja na prehet ndër buzë kur shohim se me sa pompozitet fillojnë festivale plot vlera, ku shumë shqiptare shkëmbejnë dritë, e ku trupa të huaja zbulojnë pjesë të panjohura të vendit të shqipeve, dhe shohim sesi përfundojnë në tubime  artistike të cilave publikun ua kanë zili vetëm partitë e vogla. 
Nëse ky shtet dhe ju si shtresë politike momentale (dhe ketu përfshij edhe opozitën) nuk mendoni seriozisht, atherë të jeni të bindur që sa herë që bota të kërkojë të shohë shqiponjat në vendin e shqipeve, ne do të jemi të aftë t’u tregojmë vetëm ato të balcamosurat nëpër baret dhe restorantet tona. 
E kur të lëshoni shqiponja të tilla në ajër si balonat e festave të dikurshme pranverore, ju lutem mos na merrni për gjuetarë fatkeqë balonash, pasi ju siguroj që nuk jemi të tillë. 
Me anë të kësaj letre të hapur zoti Kryeministër, nuk pres aspak që të më hapet një derë nga tuajat edhe pse e di që tashmë është kthyer në traditë një fenomen i tillë. nuk jam pjesë e atyre që ju bien më qafë për tu kafshuar një copëz pushteti, e aq më pak ndonjë idhtar Koopi apo Freshi, thjesht po ju shpalos një të vërtetë therëse e cila duhet të mos kalojë më si një shaka pa kripë nëpr tavolinat e mbledhjeve tuaja qeveritare. Lërjani humorin komedianve  që edhe ata t’u lënë të drejtën të kemi sadopak shpresë tek serioziteti i punës suaj kolektive.
Me fjalë, batuta e me shumë dekorata pas vdekjes, kupa është e tejmbushur. Kemi nevojë për veprim sepse Teatri  është arti i të bërit dhe jo i të thënit. 
E nëse mendoni të bëni realisht dicka, bëjeni para se eshtrat e të ndjerit Ismail Qemali të kthehen në atdhe… të paktën ka për të na gjetur më të kultivuar artistikisht. 
Faleminderit zoti Kryeministër.

No comments:

Post a Comment