Monday, March 21, 2011

AKTORË apo PALACO?


18 Mars 2009 Botuar ne Gazeten Shqip


Dikur studente na jepeshin detyra të tipit: Krijoni dhe hidhni në skenë një fabulë nëpërmjet të cilës përcillni një ide apo qëllim, të thoni dicka, dhe ne mundoheshim te luanim me koncepte stërmadhore apo hiperuniversale, duke u bërë qesharakë në sy të pedagogëvëe.
Në një prej emisioneve politike politike më të ndjekura shqiptare dje u përballa me një shembull tipik, vecse këtë radhë me keqardhje ju a them se nuk ishin studiot gri të Akademisë së Arteve, por  një tufë studentësh në jetë krijues të një palacollëku të tillë. Dhe kjo gafë  ishte jo vetëm e studentëve, por edhe rezultat i pedagogëve të tyre të lodhur.  atyre pedagogësh të cilët dinë të luajnë bukur prapaskenat dhe interpretojnë në mënyrën më mediokre fjalimet plot premtime boshe. të cilët nuk dinë të të zhvillojnë shirtin në bukurinë dhe pafundësinë e tij por instiktin kafshëror të pabesisë, Imoralitetit dhe gjithshkaje që personifikon zbrazëtinë e mosthënies së të vërtetave jetësore.
Është për të ardhur keq sesi disa të rinj. mundohen t'i hedhin rrënjët në kalbëzimin e sistemit pa sistem politik tashmë plak por me dhëmbë të mprehtë.
Kjo letër e hapur është për ju miqtë e mi, bashkmoshatarë gjenealogjikisht por aspak në mendësi dhe vizione.
Një kakofoni e shëmtuar aspak e denjë për skenat tona, që as në estradat amatore nuk kanë pasur një mungesë të tillë dëgjimi si ju miqtë e mi, të cilët veshët dhe gjykimin e ftohtë  latë në sirtarët e liderve tuaj. Kaq të verbër jeni miqtë e mi? Apo jeni thjeshtë vogëlushë të pangopur për të kapur një cep në profesionin më të shëmtuar momentalisht në Shqipëri? Atë të politikanit... mendoni se me ngjyrat tuaja të ndryshme që mbartni me ballë krijonë ylberin? si rregull ashtu duhet të qe por jo, dje krijuat një ngjyrë si ato kryqëzimet plot difekte gjenetike. më kujtuat kokat e panujmërta të kucedres së Hidrës, apo motrës së saj që i zu burimin e ujit Qerosit.  Mos duhet të them ... turp ndoshta? Mos vallë do të ishte më e ndershme të vinit nga një maskë, të merrnit nga një shpatë dhe të ziheshit mes njëri-tjetrit, kështu të paktën do të kishit qenë më komikë, apo do të na kishit dhuruar pak aventurë. Nëse do të provonit të luanit në ndonjë komedi apo spektakël humori me siguri duartrokitjet do të ishin të paktën të sinqerta. Audicionet janë gjithmonë të hapura. por më parë duhet të kuptoni divfertencen dhe të mësoni se cdo të thotë, marrdhënie e pse jo edhe dëgjim.
A dini të ndani miqtë e mi konceptin mes debatit konstruktiv dhe sherreve fëmijnore të tipit "pse ma lëpive gjalpin"? Deri dje kam menduar se ju me arsimin, diplomat dhe masterat tuaj aq të deklamuar, do të ishit shpresë për një vend që ka nevojë për ne, dhe jo disa personazhe filmash ëestern skenat e të cilëve priten për shkak të paaftësisë për ti përshtatur në film. Të gjithë vetëm flasin asnjë nuk dëgjon thoshin elita 5 në një nga këngët e tyre. dhe ju presupozoheni të jeni elita e ardhshme e këtij vendi. Por Elitë nuk mund të bëheni me këngë të vjedhura plot tekste vulgare.
Më të lodhshëm se të mëdhenjt! - një fjalë e dalë nga shpirti i drejtuesit të emisionit . një fjalë e cila nuk mund të kalojë pa u vënë re, një mendim spontan i të gjithë neve që me keqardhje ju pamë, ju ndoqëm dhe që me shumë dëshirë ju përndoqëm. Miqtë e mi, nëse kërkoni punë me gjithë qejf mund t'ju ndihmojmë. pse jo tu ofrojmë  skena nëpër të cilat të merrni  duartrokitje të dashura sipatizantësh dhe jo brohorima boshe militantësh.
Por përpara se të paraqiteni duhet të plotësoni disa kritere të domosdoshme si fantazia, fuqia për të realizuar ëndrra të bukura. Për të luajtur duhet mendim dhe jo buzëqeshje cinike pas fjalëve plot nëntekste mediokre e pa asnjë pikëz sado të vogël vizioni. U thanë shumë asgjëra në atë natë dhe konkluzioni ynë ishte: oh sa gallatë... oh sa sallatë!!!
Në përfundim një lutje kam për ju sa nuk është vonë: Ndajeni sa jeni në kohë miqtë e mi, do të jeni aktorë apo palacot e mbretërve tuaj sepse nese digjeni si atë natë serish ne do të themi oh sa gallatë oh sa,,, keq...

Genti Bejko, 18 Mars 2009

Letër e hapur për disa dyer të mbyllura.

botuar ne gazeten Shqip, Prill 2010

I nderuar zoti Kryeministër, teksa kthehesha nga ajri për në tokën mëmë, shpesh mendimet më përplasnin në një nga deklaratat tuaja të fundit mbi urgjencën e rehabilitimit të institucioneve të dikurshme të humorit, pasi ky popull ka nevojë të qeshë. Dhe e menduar seriozisht, në parim, ju keni shumë të drejtë. 
Megjithëse të jemi realist dhe ashtu këmbëkryq ulur shtrembër, të flasim drejt, pa petkun e politikanit e as të militantit... Seriozisht, përse e menduat dhe mbi të gjitha përse u kujtuat kaq vonë? Jo thjeshtë, përse tani për këtë fushë të braktisur prej kaq kohësh? Dhe përse pikërisht fushën e humorit, kur ajo është vetëm një nga gurët e kulturës bazë që duhet zhvilluar në vendin tonë. A nuk ndodh e njëjta gjë edhe në teatër apo në kinematografi? Unë dhe disa miq të mitë mendojmë që po. Kjo përkrahje e harruar nuk është aspak fryt i munguar për fushat tona thjesht prej qeverisë suaj. Kjo histori kaq dhimbshëm qesharake, ka kaluar shumë qeveri dhe eshte nje nga kopilat në derë të cilët nuk i merr përsipër askush. Më falni për vrazhdësinë terminologjike. Nuk mund të jetë kaq e thjeshtë. E për më tepër këto janë iniciativa të cilat një ministër kulture, qoftë ky i tanishmi apo edhe paraardhësit e tij duhet ti kishin menduar në platformat e tyre që pa marrë postet e ministrave të kulturës tonë. 
A nuk është për të ardhur keq zoti kryeministër që, të gjitha institucionet tona kulturore e sidomos ato të arteve skenike e filmike janë shpesh të lëna pas dore?
Të mos i prekim sot ato që kanë të bëjnë me kulturat rinore pasi janë akoma më thershëm qesharake.
Nëse do të hulumtonit pak në të kaluarën e parlamentit shqiptar pa kapërcyer aspak vitet 90, do të vërenit që ka disa platforma projektligjesh mbi të ardhmen e këtyre fushave të artit. 
Dikur afërsisht para 9 apo 10t vjetësh, përkrah disa miqve , kolegëve e artistëve të asaj kohe, dikush në mënyrë të përbashkët e dikush në mënyrë individuale, u hodhën bazat e e kompanive të para private të cilat lulëzuan dhe gjeneruan projekte të ndryshme me dëshirën dhe ëndrrën për të ringritur dhe rikthyer spektatorit atë për të cilën ju përmendët para pak ditësh. Këto kompani, shumica e të cilave ndoqën modelet e simotrave perëndimore, për ligjin tonë ngelën fantazëm, përfunduan në shoqata kulturore apo u zhdukën para se të ktheheshin në gomarin që priste të mbinte… ligji. 
Hapini dyert subvencioneve të kompanive private, bëjini që të marrin aq sa për të hedhur hapat e para në treg, dhe pastaj të jeni të bindur që më i miri të fitojë. Por ju lutem larg farsave të disa fondeve që monopolizohen nga disa burokratucë që mendojnë se shpirti i një artisti varet nga firma e tyre veremlie. Këtu po flasim për artistët e vërtetë që nuk kanë pasur ndonjëherë nevojë të konkurojnë nga 3 apo qind herë me shpresën se diploma do ti bënte të tillë një ditë. Flasim për ata që edhe në kohë plumbash apo rrëmujash apo dhimbjesh nuk rreshtën së punuari.
Nëse kërkoni një shembull të asaj që kërkohet do tju jepja një tipik të sakrificës ky do të ishte ai i 1984,i artistëve të rrugës, Guy Laliberté, Daniel Gauthier dhe Gilles Ste-Croix. Ky i fundit për të përfituar fondet për shfaqjen e tyre të parë përshkoi në majë të këmbëve dy metroshe prej druri një distancë prej 90 km deri në kryeqytet, c'ka i ra në sy kryeministrit të asaj kohe dhe bëri të mundur miratimin e fondit. Sot ata janë një institucioni gjigand me famë botrore që ka mbi 4,000 punonjës nga  40 vende te ndryshme të botës, prodhon 19 spektakle në mbi 271 qytete në cdo kontinent, përjashto këtu, Afrikën dhe Antarktikën, me një të ardhur vjetore që i kalon 810 million USD. Dhe ky institucion quhet Cirque De Soleil. Me siguri që keni degjuar apo ndoshta edhe parë nëpërmjet platformës Digitalb. Dhe nëse ju keni nevojë për sakrifica të tilla që të bindeni se gjendja momentale e artit në Shqiperi, është e nderë dhe e shpërfillur... shkoni në një prej cirqeve tanë.
Nuk është aspak Enveriste të ndjekësh modelin francez e aq më pak Hitleriane të ndjekësh atë gjerman… nuk po kaloj përtej oqeanit se edhe mund të mos e mbajmë shumë frymën. dhe besoj se MInistria e Kulturës dhe e tre emrave që e pasojnë, nuk ka mungesë personeli për të marrë për bazë modelet perëndimore. 
Një popull përfaqsohet nga arti dhe kultura e tij. Këto janë pasqyra në të cilën shihet përditë dhe ne nuk kemi nevojë për pasqyra të thyera. boll ters i kanë ndjellë artit shqiptar. Tek investoni për beton asfalt e koncerte mediokre grupesh të harruara, pasione te një rinie që nuk vjen më, investoni dyfish në rindërtimin shpirtëror, emancipues dhe kulturor të këtij populli. Investoni tek vetullat e ngrysura, pa u nxjerrë sytë, tek fjalori pa ua prerë gjuhën, tek mirësjellja dhe respekti reciprok, pa ua prerë duart dhe pse shpesh kacafyten. 
Me keqardhje zoti Kryeministër jua pohoj dhe konfirmoj që shpesh buzëqeshja na prehet ndër buzë kur shohim se me sa pompozitet fillojnë festivale plot vlera, ku shumë shqiptare shkëmbejnë dritë, e ku trupa të huaja zbulojnë pjesë të panjohura të vendit të shqipeve, dhe shohim sesi përfundojnë në tubime  artistike të cilave publikun ua kanë zili vetëm partitë e vogla. 
Nëse ky shtet dhe ju si shtresë politike momentale (dhe ketu përfshij edhe opozitën) nuk mendoni seriozisht, atherë të jeni të bindur që sa herë që bota të kërkojë të shohë shqiponjat në vendin e shqipeve, ne do të jemi të aftë t’u tregojmë vetëm ato të balcamosurat nëpër baret dhe restorantet tona. 
E kur të lëshoni shqiponja të tilla në ajër si balonat e festave të dikurshme pranverore, ju lutem mos na merrni për gjuetarë fatkeqë balonash, pasi ju siguroj që nuk jemi të tillë. 
Me anë të kësaj letre të hapur zoti Kryeministër, nuk pres aspak që të më hapet një derë nga tuajat edhe pse e di që tashmë është kthyer në traditë një fenomen i tillë. nuk jam pjesë e atyre që ju bien më qafë për tu kafshuar një copëz pushteti, e aq më pak ndonjë idhtar Koopi apo Freshi, thjesht po ju shpalos një të vërtetë therëse e cila duhet të mos kalojë më si një shaka pa kripë nëpr tavolinat e mbledhjeve tuaja qeveritare. Lërjani humorin komedianve  që edhe ata t’u lënë të drejtën të kemi sadopak shpresë tek serioziteti i punës suaj kolektive.
Me fjalë, batuta e me shumë dekorata pas vdekjes, kupa është e tejmbushur. Kemi nevojë për veprim sepse Teatri  është arti i të bërit dhe jo i të thënit. 
E nëse mendoni të bëni realisht dicka, bëjeni para se eshtrat e të ndjerit Ismail Qemali të kthehen në atdhe… të paktën ka për të na gjetur më të kultivuar artistikisht. 
Faleminderit zoti Kryeministër.